Së paku 43 imigrantë vdesin nga përmbytja e barkës afër Libisë, fajësohet Evropa

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 09:20
Së paku 43 imigrantë vdesin nga përmbytja e barkës afër Libisë, fajësohet Evropa

Kombet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se së paku 43 persona kanë vdekur pas përmbytjes së një barke me imigrantë afër brigjeve të Libisë, në Detin Mesdhe.

Dhjetë persona mbijetuan, ndërsa përmbytja ndodhi pas prishjes së motorit të barkës disa orë pas nisjes së lundrimit nga qyteti bregdetar, Zawiya, në perëndim të kryeqytetit Tripoli, shkruan The Guardian.

Në deklaratën e përbashkët të agjencive të OKB-së për refugjatë dhe imigrantë thuhet se kjo ishte përmbytja e parë e një barke me imigrantë në Mesdheun qendror këtë vit. Qindra persona kanë vdekur në incidente të ngjashme vitin e kaluar.

Një zëdhënës i organizatës “Alarm Phone”, e cila komunikon me imigrantët dhe refugjatët që janë në vështirësi gjatë lundrimit, tha se ky incident është rezultat i politikave kufitare të Evropës.

“Kemi mungesë të madhe në kapacitetin për shpëtim, sepse shumica e anijeve shpëtuese janë në ndalim administrativ ose nën një lloj hetimi në Evropë, prandaj shumica s’mund të vendosen në det”, tha kjo organizatë.

Zyrtarët e saj thanë se OJQ-ja e vetme që tash për tash ka mundësi të operojë është organizata “SOS Mediterranee”, e cila gjithashtu përballet me sfida gjatë kërkimit të imigrantëve në det.

Në prill të vitit të kaluar, Italia i shpalli të pasigurta portet e veta për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe tha se nuk do të pranojë imigrantë.

Kombet e Bashkuara thanë se duhet të ndryshohet qasja nda imigrantëve që vijnë nga Mesdheu, përfshirë dhënien fund të politikës së kthimit të tyre në shtete të pasigurta.

(Kosova Sot Online)