Aleksander Vuçiq e fton Joe Biden ta vizitojë Serbinë, duke e uruar, ia përmend “plagët e mosmarrëveshjes”

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 09:58
Aleksander Vuçiq e fton Joe Biden ta vizitojë Serbinë, duke e uruar, ia përmend “plagët e mosmarrëveshjes”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka uruar Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, duke shprehur shpresën e tij se ai do ta krijojë një partneritet me Serbinë për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimin ekonomik.

Në mesazhin e urimit, Vuçiq ia ka përmendur Bidenit “plagët nga kohërat e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjes”, duke e ftuar atë që ta vizitojë Serbinë.

Në kartolinë shkruhet:

“Merrni urimet e mia të sinqerta për marrjen e detyrës si President i Shteteve të Bashkuara, me urimet më të mira për shëndet të mirë dhe shumë suksese, në të mirë të vendit tuaj dhe të gjithë qytetarëve të tij.

Unë besoj thellësisht se do ta bëni me përkushtim të vërtetë, energji të pashtershme dhe një vizion të qartë, i cili karakterizon karrierën tuaj të gjatë politike dhe përvojën e pasur të shtetit. Nuk ka asgjë më të nderuar sesa t’i shërbejmë atdheut, të mos dorëzohesh përballë sfidave të mëdha, siç janë kohët e pasigurta me të cilat bota përballet tani.

I nderuar President,

Ky vit shënon 140 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në periudhën e mëparshme, ne shënuam përvjetorë të rëndësishëm nga historia jonë e përbashkët, duke kujtuar shembujt e ndritshëm të aleancës tonë në anën e së vërtetës dhe drejtësisë. Ato ishin një nxitje e fortë për ne, në Serbi, që të përpiqemi t’i kthejmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin e një partneriteti të vërtetë, siç ishin dhe siç duhej të ishin, megjithë plagët e lëna nga kohërat e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjes. Jam i bindur që, me respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta, ne do të kemi një partner në ju për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik.

Prandaj, më lejoni t’ju ftoj ta vizitoni Serbinë tani, si President i Shteteve të Bashkuara, me shpresën se qëndrimi juaj i mëparshëm këtu në vitin 2016 do të mbetet në kujtimet tuaja të këndshme dhe se dëshira për lidhje më të frytshme Serbo-Amerikane është e ndërsjellë”, thuhet në mesazhin e urimit nga Vuçiq. , njoftoi Zyra e Shtypit e Presidentit serb. 

(Kosova Sot Online)