Joe Biden heq vendimin e Donald Trump për ndalimin e udhëtimit nga vendet myslimane

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 11:11
Joe Biden heq vendimin e Donald Trump për ndalimin e udhëtimit nga vendet myslimane

Në ditën e inaugurimit si president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për shfuqizimin e ndalimit të ardhjes së imigrantëve nga disa shtete me shumicë myslimane.

Ky vendim për ndalim të udhëtimit, i marrë nga administrata e Trumpit, njihej më shumë me emrin “vendimi për ndalimin e myslimanëve”, sepse versioni origjinal i tij e ka rrënjën në qëndrimet e Trumpit kundër këtij komuniteti.

Vendimi që Trumpi e kishte marrë pak ditë pasi kishte ardhur në pushtet u sfidua në gjykata dhe u prit me zemërim nga publiku, por synimi i qeverisë amerikane për kufizimin e emigrimit nga vendet myslimane me të ardhura të ulëta mbeti i njëjtë, shkruan HRW, transmeton Gazeta Express.

Me këtë vendim, një grup i madh i njerëzve cilësoheshin si të rrezikshëm për shkak të përkatësisë etnike apo fetare. Si rezultat i këtyre politikave, shumë persona u ndanë nga familjet e tyre.

Ismail Alghazali, një qytetar amerikano-jemenas që u nda nga gruaja dhe fëmijët që mbetën në Jemen, në shtator të vitit 2019 tha se ende nuk e ka takuar vajzën e vogël.

Administrata e Bidenit dhe Kongresi kanë shumë punë për të bërë, përpos shfuqizimit të këtij vendimi, në mënyrë që të krijojnë një sistem migracioni që e nderon dinjitetin e njerëzve që kërkojnë mbrojtje dhe jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, shkruan organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.

(Kosova Sot Online)