Lumezi: Askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit

  • E.K /
  • 22 January 2021 - 15:34
Lumezi: Askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit

Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi tha sot në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale.

“Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit”, tha ai.

Ai tha se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial.

Ai tha se gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror “… me ç’rast kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë”.

Ai shtoi se rëndësi i është kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë raste me 34 persona, nga gjithsejtë tetë raste sa i ka pranuar në punë.

“Falë një hetimi të gjatë të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit dhe një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si me Policinë dhe Inspektoratin Policor, në shtator të vitit 2020 është zhvilluar një operacion i madh në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ku me urdhër të prokurorisë u shkatërrua një vatër e madhe e krimit të organizuar, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të gjërave me vlerë”, tha ai.

Ai falënderoi SHBA-të, për ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për institucionin e Prokurorit të Shtetit, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës, në luftë kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

(Kosova Sot Online)