Pasi miratoi vaksinën kineze, Turqia tani do ta prodhojë vaksinën ruse, Sputnik V

  • E.K /
  • 23 January 2021 - 11:27
Pasi miratoi vaksinën kineze, Turqia tani do ta prodhojë vaksinën ruse, Sputnik V

Fondi Sovran i Pasurisë në Rusi njoftoi të shtunën se ka nënshkruar marrëveshje me Turqinë për prodhimin e vaksinës ruse kundër sëmundjes Covid-19, Sputnik V.

Ky organ njoftoi se tashmë ka filluar ta transferojë teknologjinë prodhuese në Turqi, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Deri më tani, Rusia ka nënshkruar marrëveshje për prodhimin e vaksinës së saj kundër Covid-it edhe me Kinën, Indinë, Brazilin, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Korenë Jugore.

Më herët, Turqia ka filluar t’i vaksinojë grupet me përparësi me vaksinën kineze kundër koronavirusit, të zhvilluar nga kompania Sinovac. Këtë vaksinë e ka marrë edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan.

Në anën tjetër, Rusia në gusht të vitit të kaluar u bë shteti i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër koronavirusit. Sidoqoftë, ekspertët shëndetësorë kanë dyshime për efikasitetin e kësaj vaksine për shkak të mungesës së transparencës gjatë testimit dhe mungesës së testimit masiv në njerëz para miratimit.

(Kosova Sot Online)