Hoxhaj: PDK-ja e vetmja pengesë ndaj këtij mentaliteti autokratësh

  • A.P /
  • 25 January 2021 - 18:25
Hoxhaj: PDK-ja e vetmja pengesë ndaj këtij mentaliteti autokratësh

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një video adresimi, ku do të shplaosë planin e Rimëkëmbjes për sundim të ligjit, ka pasur akuza drejt Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, duke iu thënë që të mos i linçonjë institucionet e pavarura.

Hoxhaj, në këtë adresim ka thënë se pa sundimin e ligjit, nuk ka as shtet e as demokraci, derisa ka shtuar se është e frikshme që sot ka politikanë që po kërcënojnë pavarësitë e institucioneve.

“Pa sundim të ligjit nuk ka as shtet dhe as demokraci. Edhe Kosova është një shtet i cili nuk mund të funksionojë pa sundim të ligjit. Është e frikshme teksa sot shohim disa politikanë duke e kërcënuar pavarësinë e këtyre institucioneve. Është e rrezikshme se si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë duke e linçuar Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.”, ka thënë Hoxhaj.

Përmes fjalimit, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, gjithashtu tha se Gjykata Kushtetuese dhe KQZ janë shtylla të funksionimit të demokracisë dhe se sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë prej politikanëve me mentalitet autokrat.

“Këto dy institucione janë shtylla e funksionimit të demokracisë. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë prej politikanëve me mentalitet autokrat. PDK-ja ka mbetur e vetmja digë që do t’i bëjë ballë këtij mentaliteti autokrat. Sepse, PDK-ja është ajo parti që i ka ngritur këto institucione të pavarura shtetërore. Sepse, PDK-ja është ajo parti që e përfaqëson luftën e shumë brezave, për të pasur shtet, institucione dhe sundim të ligjit.”, ka thënë Hoxhaj.

Ai, ka shtuar se PDK është e vetmja shpresë për të gjithë ata që, më shummë të drejtë, po kanë frikë nga një politikan si Albin Kurti.

“Prandaj, ne jemi e vetmja shpresë për të gjithë ata që, me shumë të drejtë, po kanë frikë nga një politikan si Albin Kurti. Nga Albini autokrat që e kërcënon Gjykatën Kushtetuese, KQZ-në dhe çdo institucion, politikan, analist e qytetar që nuk mendon njëjtë si ai.”, ka shtuar Hoxhaj.

Ky është video adresimi i tretë nga Enver Hoxhaj, e bashkë me të do të jetë edhe Abelard Tahiri dhe do të shfaqet në shumicën e televizioneve të Kosovës, përfshirë edhe në disa mediat online, duke filluar nga ora 18:00.


(Kosova Sot Online)