Irani ekzekuton mundësin e dytë brenda 4 muajve, akuzohej për një vepër të rëndë

  • E.K /
  • 26 January 2021 - 10:13
Irani ekzekuton mundësin e dytë brenda 4 muajve, akuzohej për një vepër të rëndë

Sipas raportimeve të medieve lokale në Iran, autoritetet e kanë ekzekutuar mundësin Mehdi Ali Hosseini, i cili akuzohej për vrasje.

Raportet thonë se mundësi 30-vjeçar është ekzekutuar në burg të hënën, në qytetin jugperëndimor të Dezfulit, shkruan Free Europe.

Hosseini, i cili është përshkruar si mundës i nivelit rajonal, para pesë vjetëve ishte shpallur fajtor për vrasjen e një të riu gjatë një përleshjeje në qytezën Andimeshk dhe ishte dënuar me vdekje. Dënimi iu konfirmua nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.

Në shtator të vitit të kaluar, Irani ekzekutoi një mundës tjetër, të quajtur Navid Afkari, i cili akuzohej për vrasje të një roje gjatë protestave në Shiraz në vitin 2018.

Irani është në mesin e shteteve që ekzekuton më së shumti persona të dënuar. Sipas organizatës “Amnesty International”, së paku 251 persona janë ekzekutuar nga autoritetet shtetërore në Iran në vitin 2019.

(Kosova Sot Online)