Pasi u përjashtua, Krasniqi figuron në listë si kandidat për drejtor të SHSKUK’së, mbahet e fshehtë se si i plotësoi kriteret

  • G.G /
  • 26 January 2021 - 13:05
Pasi u përjashtua, Krasniqi figuron në listë si kandidat për drejtor të SHSKUK’së, mbahet e fshehtë se si i plotësoi kriteret

Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë publikuar listën e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për të kandiduar për pozitën e drejtorit të këtij institucioni.

Në një dokument të bërë publik më 20 janar të këtij viti, bëhej e ditur se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, nuk i kishte plotësuar kriteret për të kandiduar për pozitën e drejtorit.

Mirëpo në dokumentin e publikuar sot, shihet se Krasniqi është në listën e kandidatëve që do të garojnë për pozitën e drejtorit.

Alban Janova i cili udhëheq sektorin e Burimeve Njerëzore në SHSKUK, ka thënë për Express se Krasniqi është futur në garë për pozitën e drejtorit.

Ai ka theksuar se Krasniqi i ka plotësuar kriteret, duke mos dhënë informacione se si ka arritur t’i plotësojë ato kur para disa ditësh ishte eliminuar nga ky sektor për shkak të mosplotësimit të kritereve.

Përndryshe, Krasniqi ka thënë se i gjithë procesi për zgjedhjen e drejtorit të SHSKUK’së zgjat më së shumti deri në 25 ditë.

“ Ai i ka plotësuar kriteret. Nuk mund të jap informacione më shumë sepse nuk kam të drejtë. I gjithë procesi për zgjedhjen e drejtorit zgjat më së shumti 25 ditë, pra brenda këtyre ditëve mund të zgjidhet drejtori”, ka shtuar ai.

Ndërsa Krasniqi nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës për të dhënë një qëndrim për kandidimin e tij.

Pjesë e garës për pozitën e drejtorit të SHSKUK’së janë pesë doktorë të cilat kanë plotësuar kriteret për të vazhduar më tej konkurrimin. Ata janë: Saudin Maliqi, Gani Halilaj, Driton Ukmata, Basri Lenjani dhe Valbon Krasniqi”.

(Kosova Sot Online)