Regeneron-i thotë se terapia e tij me antitrupa e parandalon Covid-in

  • A.P /
  • 26 January 2021 - 16:02
Regeneron-i thotë se terapia e tij me antitrupa e parandalon Covid-in

Kompania amerikane, Regeneron, ka thënë se në bazë të rezultateve të përkohshme të një testimi që po vazhdon, përzierja e saj me antitrupa e parandalon sëmundjen Covid-19 te personat që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar.

Në këtë studim janë të përfshirë 400 persona që kanë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusit brenda shtëpive apo banesave të tyre. Gjysma e tyre e morën terapinë me antitrupa të Regeneron-it, ndërsa gjysma tjetër mori një vaksinë të rreme, që nuk ka kurrfarë efekti.

Numri i infeksioneve ishte më i vogël te personat që e morën trajtimin dhe të gjithë ishin raste pa simptoma, tha kjo kompani. Në mesin e atyre që e morën terapinë, infeksioni nuk zgjati më shumë se një javë, ndërsa 40 për qind e infeksioneve te personat që morën vaksinë të rreme zgjati tri deri në katër javë.

Asnjëri nga personat e infektuar në grupin që kishte marrë terapinë e Regeneron-it nuk kishte sasi të madhe të virusit në organizëm, ndërsa 62 për qind e personave të infektuar në grupin që s’e kishte marrë terapinë u infektuan me sasi të madhe të koronavirusit, shkruan CNN.

Në grupin e njerëzve që e morën terapinë me antitrupa nuk u shënua asnjë i vdekur dhe asnjë hospitalizim, ndërsa te grupi që nuk e mori terapinë u shënuan një vdekje dhe një hospitalizim.

Kompania pret që t’i ketë të dhënat e plota të këtij studimi në fillim të çerekut të dytë të vitit dhe tha se do të diskutojë me Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve të ShBA-së për ta zgjeruar ose jo autorizimin për përdorim urgjent të kësaj terapie.

(Kosova Sot Online)