Vetëvendosje: Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe

  • A.P /
  • 26 January 2021 - 20:12
Vetëvendosje: Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka reaguar pas vendimit të PZAP’së për moscertifikimin e kandidatëve të listës së VV’së për deputetë.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook tha se Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe.

“Një nen i ligjit i cili nuk bën dallimin ndërmjet dënimit me burg dhe atij me kusht apo gjobë, dhe që nuk e bën dallimin në mes veprave penale por i futë të gjitha në një thes, nuk mund të përdoret si bazë për mohimin e një të drejte kushtetuese elementare siç është e drejta për t’u zgjedhur. Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Kryeziu.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur sot për nëntë ankesat e shtatë subjekteve politike për sa i përket moscertifikimit nga ana e KQZ’së për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të gjitha ankesat u miratuan në mënyrë të pjesërishme, teksa në vendimet e PZAP’së, u vertetua se kandidatët e partive politike që kanë denime të plotfuqishme në tri vjetët e fundit nuk u certifikohen. Në mesin e tyre është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me pesë anëtarë të partisë. Poashtu edhe AAK’ja mbeti pa katër kandidatë në listë, teksa Nisma me gjithsej 12 të tillë.

(Kosova Sot Online)