Senati amerikan e konfirmon Blinkenin si sekretar të Shtetit

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 09:12
Senati amerikan e konfirmon Blinkenin si sekretar të Shtetit

Senati i Shteteve të Bashkuara të martën e konfirmoi të nominuarin e presidentit Biden për sekretar të Shtetit, Antony Blinken, duke e bërë zyrtarin e katërt të kabinetit që miratohet në Dhomën e Lartë të Kongresit që nga nominimi i Bidenit.

Shefi i ri i diplomacisë amerikane e mori përkrahjen e 78 senatorëve, ndërsa vetëm 22 ishin kundër. Me emërimin e tij, Bideni po synon që t’i kthejë Shtetet e Bashkuara në angazhim aktiv shumëpalësh në skenën botërore.

Para konfirmimit të Blinkenit, Senati i ka konfirmuar në postet e reja edhe drejtoreshën për Inteligjencë Kombëtare, Avril Haines, sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe sekretaren e Thesarit, Janet Yellen.

Blinkeni më parë ka shërbyer në administratën e ish-presidentit Obama si zëvendës-sekretar i Shtetit dhe zëvendës-këshilltar për Siguri Kombëtare. Ai ka punuar personalisht me Bidenin si këshilltar gjatë kohës së tij në Senat dhe kur presidenti i ri shërbente si nënpresident, shkruan Anadolu.

Në mesin e sfidave që e presin kryediplomatin e ri amerikan do të jenë udhëheqja e përpjekjeve të ShBA-së për rivendosje të kontakteve me Iranin pasi Trumpi më 2018 e tërhoqi vendin nga marrëveshja bërthamore me Teheranin.

Blinken do të duhet të punojë edhe për forcimin e raporteve me aleatët në Evropë pasi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së u përkeqësuan dhe u tensionuan disa herë gjatë pushtetit të Trumpit.

(Kosova Sot Online)