Izraeli i përzihet pak ShBA-së: Kthimi në marrëveshje me Iranin, gabim

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 10:37
Izraeli i përzihet pak ShBA-së: Kthimi në marrëveshje me Iranin, gabim

Komandanti i përgjithshëm në ardhje i ushtrisë izraelite, gjeneral lejtnant Aviv Kohavi, tha të martën se forcat e armatosura të vendit të tij janë duke i rifreskuar planet operacionale kundër Iranit dhe se çfarëdo kthimi i ShBA-së në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin do të ishte gabim.

Kjo deklaratë është shenjë e qartë për presidentin e ri amerikan, Joe Biden, që të veprojë me kujdes në përpjekjet diplomatike me Iranin. Komentet e tilla të një komandanti izraelit rreth politikave të ShBA-së janë të rralla dhe ka gjasë që ato të jenë miratuar paraprakisht nga qeveria izraelite, shkruan Reuters.

“Një kthim në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 apo edhe nëse është një trakt i ngjashëm me disa përmirësime, është i keq dhe gabim nga pikëpamja operacionale dhe strategjike”, tha Kohavi gjatë një fjalimi në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, që është pjesë e Universitetit të Tel Avivit.

Kohvai shtoi se veprimet e Iranit për shkeljen e zotimeve të marrëveshjes bërthamore tregojnë që republika islamike përfundimisht mund të lëvizë shpejt drejt ndërtimit të një arme bërthamore.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, më 2018 i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ky veprim u mirëprit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që e kritikonte largimin e sanksioneve për Iranin.

Sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken, tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara kanë një rrugë të gjatë për të vendosur nëse do të kthehen në marrëveshjen bërthamore dhe se duhet të shohin se çfarë ka bërë Irani për ta vazhduar respektimin e paktit ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online)