AstraZeneca tërhiqet nga takimi me BE-në, në dyshim furnizimi me vaksina

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 12:56
AstraZeneca tërhiqet nga takimi me BE-në, në dyshim furnizimi me vaksina

Kompania britanike e ilaçeve, AstraZeneca, është tërhequr nga një takim i planifikuar me zyrtarët e BE-së, ku do të diskutohej për furnizimin me vaksina kundër koronavirusit.

Kjo kompani është duke e prodhuar një ndër vaksinat më të suksesshme kundër sëmundjes së re, por është përfshirë në mosmarrëveshje me Bashkimin Evropian rreth furnizimit me doza, shkruan BBC.

BE-ja ka porositur 600 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca-s, për zhvillimin e së cilës ka kontribuar edhe Universiteti i Oksfordit. Kjo porosi është bërë para se vaksina të miratohej për përdorim.

Megjithatë, tashmë kompania po përballet me probleme në prodhim dhe shpërndarje dhe po përpiqet t’i zgjidhë atë sa më shpejt. Kompania tha se vendimi i vonshëm i BE-së për t’i blerë dozat i ka lënë pak hapësirë për përmbushje të kërkesave.

Në anën tjetër, një zyrtar i BE-së tha se blloku vazhdon ta pyesë kompaninë britanike pse janë pakësuar dozat për Bashkimin Evropian.

Disa ditë më parë, BE-ja paralajmëroi se do të kërkojë që të njoftohet paraprakisht para se vaksinat e kompanive Pfizer dhe BioNTech t’i dërgohen Britanisë, në një lëvizje që duket si hakmarrje ndaj pakësimit të dozave nga AstraZeneca.

(Kosova Sot Online)