Dëshiron të bëhet baba, 36-vjeçari: Gruaja ka abortuar me një tjetër

  • A.P /
  • 27 January 2021 - 16:52
Dëshiron të bëhet baba, 36-vjeçari: Gruaja ka abortuar me një tjetër

Një 36-vjeçar ka folur për kameran, me indetitet të mbuluar duke sjellë realisht atë që e mundon prej vitesh. Planet e tyre për t’u bërë prindër kanë dështuar 13 vite me radhë. Ai thotë se e shoqja ka patur një abort kur ka qenë e fejuar më parë me dikë tjetër dhe tani nuk po mbetet dot më shtatzënë.

Kjo është kthyer në burim konflikti për çiftin, duke gjeneruar deri dhunë fizike. “Ajo ndihet e lodhur dhe e dërrmuar pas çdo përgjigje negative. Ka patur raste edhe jemi zënë shumë keq. Një ditë erdhi e shpërfytyruar, më grisi një bluzë në sy, dhe ulërinte. Më bënte mua fajtor. Kemi menduar edhe divorcin. Një herë më ka dalë vetja nga kontrolli. E kam qëlluar. Shpirti im e di.”-rrëfen ai ndërsa përtej ambientit gjysmë të ndriçuar i ndihet tensioni dhe pesha e vuajtjeve për një kohë të gjatë. Në intervistë, psikologia Lediona Braho shprehet se çiftet që dëshirojnë shumë të bëhen me fëmijë, mund të kalojnë një kalvar gjërash, sidomos kur kjo fillon si një dëshirë dhe gjatë rrugës hasin në pengesa të ndryshme.

Më tej mjeku obstetër-gjinekolog, Roland Lama vëren se arsyet më të shpeshta pse çiftet nuk arrijnë të kenë fëmijë janë patologji që lidhen me moshën, infeksionet seksualisht të transmetueshme, problemet me aparatin riprodhues apo edhe shqetësime me gjendrat endrokrine si edhe sëmundje të zemrës. Lama thotë në fund të emisionit se gjithmonë ka shpresë, duke shtuar se stresi ndikon negativisht, ashtu si edhe besimi tek vetja apo tek mjeku, jo vetëm për shtatzaninë, por edhe tek kurimi i shumë sëmundjeve të ndryshme.

(Kosova Sot Online)