Melania Trump hap zyrë në Florida, fillon të angazhojë staf

  • E.K /
  • 28 January 2021 - 11:01
Melania Trump hap zyrë në Florida, fillon të angazhojë staf

Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, do të hapë zyrë në Florida, sipas dy burimeve të afërta me planet e saj.

Njëri nga burimet tha se qëllimi i zonjës Trump është që ta mbajë në funksion nismën “Be Best”, me të cilën synohet që të ndihmohen fëmijët. Gjatë kohës së saj në Shtëpinë e Bardhë, “Be Best” ishte nismë për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve, sigurinë e tyre në internet dhe ndikimin e krizës së drogave te fëmijët.

Zyra e zonjës Trump në Florida do të ketë tre anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, konfirmuan burimet për televizionin CNN. Hayley D’Antuono shërbeu për katër vjet si drejtoreshë e operacioneve dhe mbikëqyrëse e udhëtimeve të ish-zonjës së parë dhe tani është shefe e stafit të zonjës Trump.

Marcia Kelly, e cila shërbeu si këshilltare e lartë pa pagesë për ish-zonjën e parë kur ajo ishte në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu do të jetë pjesë e zyrës në Florida, ndonëse nuk është e qartë nëse do të paguhet tani e tutje.

Sipas një sondazhi të televizionit CNN, Melania Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë me shkallën më të ulët të përkrahjes si zonjë e parë.

Shkalla më e lartë e përkrahjes për të ishte 57 për qind, në maj të vitit 2018, sipas një sondazhi të këtij televizioni në atë kohë.

(Kosova Sot Online)