Në Vushtrri prishet koalicioni LDK-LVV , Tahiri: Do t’i shkarkoj bartësit e institucioneve që vijnë nga kjo parti

  • G.G /
  • 29 January 2021 - 09:22
Në Vushtrri  prishet koalicioni LDK-LVV , Tahiri: Do t’i shkarkoj bartësit e institucioneve që vijnë nga kjo parti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë ndarë rrugët në qytetin e Vushtrrisë. LDK’ja e cila udhëheq me këtë komunë ka prishur koalicionin me partinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Kjo  për shkak se këta të fundit nuk e kanë votuar dje Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë.

Këtë e ka konfirmuar për express, kryetari i komunës Xhafer Tahiri. Ai tha se këtë qasje të Vetëvendosjes nuk do ta durojë më. 

“Në fakt dje LVV’ja në Vushtrri nuk e ka përkrahur planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë. Ky është një plan i hartuar për të dal nga kriza. Është një prej planeve më të rëndësishme edhe për një koncept ndryshe, se si do të duhej të dukej politika lokale në Vushtrri për 10 vjetët e ardhshme. Për këtë arsye unë dje i kam bërë të ditur nënkryetarit të komunës dhe kryetarit të Degës të VV’së që unë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë koalicionin”, ka thënë ai.

Sipas tij arsyetimi i asamblistëve të VV’së, për të mos e votuar këtë program, ka qenë se është vendim i marrë nga Kryesia e Degës së VV’së në këtë komunë.

“Arsyetimi ka qenë që është vendim i Kryesisë së VV’së për të mos votuar dje në Kuvend Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  dhe unë nuk mund të lejoj që vendimet në parti të ndikojnë në politikën apo në drejtimet që duhet ti marr komuna e Vushtrrisë apo për projektet e tjera siç ishte ai për Rimëkëmbjen Ekonomike të Vushtrrisë dhe shumë projekteve tjera të rëndësishme”, ka thënë më tutje ai.

Tahiri konfirmoi për express, se tanimë i ka liruar nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë e që i përkasin VV’së.

“Natyrisht që sot do të lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë. Tashmë edhe i kam liruar nga detyra”, ka deklaruar më tutje ai.

Express ka provuar të kontaktojë edhe me nënkryetarin e Komunës, Besim Muzaqi që vie nga radhët e Vetëvendosjes, por deri në momentin e publikimit të lajmit ai nuk është përgjigjur në telefonatat e gazetës.

Tahiri njoftoi se Plani i Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë ka 3 masa apo propozime themelore që sipas tij duhet të aprovohen në Kuvend të Komunës dhe nga Qeveria e Kosovës.

“Moratorium 4 vjeçar për asfalt, rialokim i buxhetit në projekte për punësim e zhvillim sepse 687 nga 750 km rrugë, ose 91% e rrugëve lokale në Vushtrri janë të asfaltuara. Vetëm granti qeveritar do të përdoret për asfaltim të rrugëve.  25 % ulje të tatimit në pronë në 4 vitet e ardhshme për qytetarët dhe bizneset e Vushtrrisë. 0 tolerancë për mos paguesit e tatimit dhe taksave komunale.  Mbi 200 milion euro investime, publike dhe private në projektet vitale për transformimin e Vushtrrisë në 5 vitet e ardhshme”, ka njoftuar ai. 

(Kosova Sot Online)