Pas fekondimit artificial, transgjinorit i dështon shtatzënia në fëmijën e dytë

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 12:33
Pas fekondimit artificial, transgjinorit i dështon shtatzënia në fëmijën e dytë

Një person transgjinor nga Anglia, i cili më parë e kishte humbur betejën që në certifikatën e lindjes së djalit ta kishte emrin te rubrika e babait, ka zbuluar se i ka dështuar shtatzënia e dytë në javën e gjashtë pasi bëri fekondim artificial, i njohur si IVF.

Freddy McConnell, 34 vjeç, i cili jeton në Londër, mori vesh se është shtatzënë përmes transferimit të embrionit disa javë para Krishtlindjeve, shkruan Daily Mail.

Ai filloi të merrte testosteron nga mosha 25-vjeçare dhe një vit më vonë i largoi indet e gjoksit, por kurrë nuk e hoqi mitrën, sepse nuk e përjashtoi mundësinë që të kishte fëmijë.

Duke postuar në Instagram, babai i një fëmijë thotë se kishte filluar që i ngazëllyer t’i imagjinonte nëntë muajt e ardhshëm, por më pas mori vesh se shtatzënia i ka dështuar në javën e gjashtë, pasi bëri një test të gjakut në një klinikë të Nju Jorkut.

“Dështimi i shtatzënisë ende është tabu dhe nuk duhet të jetë. Dështimi i shtatzënisë së personave transgjinorë është pjesë e kësaj, sado e vogël, sado e padukshme, sado që mohohet nga një grup i vogël që urren”, tha ai.

Freddy kishte mbetur shtatzënë në vitin 2017, por ligjërisht ishte mashkull kur e lindi fëmijën e parë, Jack, në vitin 2018.

Freddy lindi djalë në vitin 2018.

Kur e lindi djalin, e dëshiroi që të regjistrohet si baba i fëmijës, por një zyrtar i kishte thënë se Akti i Fëmijëve i vitit 1989 kërkon që njerëzit që lindin fëmijë të regjistrohen si nëna.

Ai ishte ankuar në Gjykatën Supreme, por as kjo gjykatë nuk e pranoi kërkesën. Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata ia refuzoi kërkesën, duke thënë se ajo nuk është pikë e argumentueshme e ligjit.

(Kosova Sot Online)