Vaksina e Novavax-it është efektive kundër varianteve të reja të Covidit

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 13:41
Vaksina e Novavax-it është efektive kundër varianteve të reja të Covidit

Një vaksinë e re kundër sëmundjes Covid-19, e zhvilluar nga kompania Novavax, ka dalë 89 për qind efektive dhe duket se ofron mbrojtje kundër disa varianteve të koronavirusit, sipas rezultateve të kryera në Britaninë e Madhe, njoftoi firma amerikane.

Novavax tha se gjatë testimit u zbulua që vaksina është 95.6 për qind efektive kundër variantit fillestar të koronavirusit, ndërsa 85.6 për qind efektive kundër variantit që së pari u identifikua në Britaninë e Madhe, i njohur si B.1.1.7, duke u mbështetur në rezultatet e fazës së tretë të testimit në Britani.

Megjithatë, duket se kjo vaksinë është më pak efektive kundër variantit që së pari u zbulua në Afrikën Jugore. Shkalla e efikasitetit te personat pa virusin HIV në një hulumtim të fazës së dytë ishte 60 për qind. Shifra ra në 49.4 për qind, kur në testim u përfshinë edhe personat me HIV, shkruan CNN.

Stanley Erck, shef ekzekutiv i kompanisë Novavax, e vlerësoi lart vaksinën e njohur si NVX-CoV2373. “Kjo është vaksina e parë që dëshmon jo vetëm efikasitet të lartë klinik kundër Covid-19, por edhe efikasitet të konsiderueshëm klinik kundër dy varianteve që u përhapën shpejt në Britani dhe Afrikë Jugore”, tha ai përmes një njoftimi.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i mirëpriti rezultatet e testimit në Britani, duke thënë se ky është lajm i mirë dhe shprehu mirënjohje për të gjithë vullnetarët që e mundësuan testimin e vaksinës.

“Rregullatori ynë i ilaçeve tani do ta vlerësoj vaksinën, e cila do të prodhohet në Teesside. Nëse miratohet, ne tashmë kemi porositur 60 milionë doza”, shkroi Johnson në Twitter.

(Kosova Sot Online)