Burri “me brirë” ndihet i tradhtuar që Trumpi

  • A.P /
  • 29 January 2021 - 16:05
Burri “me brirë” ndihet i tradhtuar që Trumpi

Një amerikan nga Arizona, i cili mori pjesë në sulmin ndaj ndërtesës së Capitol-it në ShBA më 6 janar dhe që mori vëmendje të madhe për shkak të rrobave dhe kapelës që kishte, ka thënë se është i gatshëm të japë dëshmi në seancën hetimore kundër ish-presidentit Donald Trump.

Jacob Chansley, i cili veten e quan Qanon Shaman dhe që për një kohë të gjatë ka qenë figurë e njohur në tubimet që janë mbajtur nga përkrahësit e Trumpit, po përballet me akuza për sulm ndaj Capitol-it. Ai ka lënë të kuptohet se përkrahësit kanë marrë urdhra nga ish-presidenti.

Avokati Albert Watkins tha se ende nuk ka biseduar me asnjë anëtar të Senatit prej kohës kur ka ofruar që klienti i tij të dëshmojë në seancën kundër Trumpit, por shtoi se është me rëndësi që senatorët ta dëgjojnë zërin e dikujt që është nxitur nga Trumpi, shkruan Daily Mail.

Ky avokat tha se klienti i tij më parë është përkrahur nga Trumpi, por tani ndihet i lënë anash pasi ish-presidenti refuzoi që t’i ofronte falje të dënimit atij dhe të tjerëve që morën pjesë në sulmin e dhunshëm ndaj një institucioni të lartë shtetëror. “Ai ndihet sikur është tradhtuar nga presidenti”, tha avokati Watkins.

Fjalët e përkrahësve të Trumpit, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në kryengritje, në fund mund të përdoren kundër tij në seancën hetimore.

Chansley u ka thënë hetuesve se ka shkuar te ndërtesa e Capitol-it me kërkesën e presidentit që, siç ka deklaruar ai, të gjithë patriotët të shkojnë në Washington DC më 6 janar.

Një person tjetër që po akuzohet për dhunë në Capitol, Dustin Byron Thompson, nga Ohio, ka thënë se është frymëzuar që të futet në ndërtesën shtetërore nga gënjeshtrat e Trumpit rreth manipulimit të zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë, së paku 95 persona janë akuzuar deri të hënën në lidhje me kryengritjen e organizuar nga përkrahësit e Trumpit në fillim të janarit, ku mbetën të vdekur pesë persona: katër kryengritës dhe një polic.

(Kosova Sot Online)