Nga e hëna, amerikanët obligohen të përdorin maska dyshtresëshe në transportin publik

  • S.A /
  • 30 January 2021 - 09:22
Nga e hëna, amerikanët obligohen të përdorin maska dyshtresëshe në transportin publik

Amerikanët nga e hëna do të jenë të obliguar që të vendosin maska gjatë përdorimit të mjeteve të transportit publik, përfshirë autobusët, taksitë, aeroplanët, trenat apo barkat, njoftoi Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Urdhri i nënshkruar nga Dr. Martin Cetron, drejtor i Divizionit për Migrim Global dhe Karantinë, që është pjesë e qendrës, thotë se njerëzit duhet të përdorin maskë që mbulon gojën dhe hundën gjatë përdorimit të transportit publik dhe gjatë pritjes për t’u nisur. Maska duhet të jetë së paku dyshtresëshe.

Sipas rregullës së re, mburojat e fytyrës dhe syzet mbrojtëse mund të përdoren bashkë me maskën, por jo si zëvendësim për të. Të liruar nga urdhri i ri janë vetëm fëmijët nën moshën 2-vjeçare dhe personat me nevoja të veçanta që s’mund të vendosin maskë, shkruan CNN.

Në dokumentin e publikuar në mbrëmjen e së premtes thuhet se Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e rezervon të drejtën për zbatimin e urdhrit përmes gjobave, por bën thirrje që qytetarët t’i zbatojnë rregullat vullnetarisht dhe pret përkrahje nga agjencitë tjera federale.

Ky vendim vjen pasi presidenti i ri amerikan, Joe Biden, më 21 janar nënshkroi urdhër ekzekutiv që i obligonte udhëtarët që udhëtojnë mes shteteve që të përdorin maskë. Në ditën e tij të parë të punës, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë i sfidoi amerikanët që të përdorin maska 100 ditë për ta pakësuar përhapjen e koronavirusit.

(Kosova Sot Online )