Reshjet e shiut rëndojnë situatën me vërshimet në Kosovë

  • G.G /
  • 30 January 2021 - 12:51
Reshjet e shiut rëndojnë situatën me vërshimet në Kosovë

Reshjet e orëve të fundit kanë rënduar situatën me vërshime. Nga zyra e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti thonë se reshjet e shiut kanë vështirësuar dhe bllokuar disa rrugë dhe se shkak i kësaj disa lumenj kanë dalë nga shtrati.

Po ashtu raportohet edhe për rrëshqitje të dheut në disa vende si shkak i reshjeve atmosferike.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, se është duke e përcjellë nga afër gjendjen në teren, pas reshjeve të orëve të fundit që kanë rënë mbi vendin tonë. Sipas këtij raporti gjendja paraqitet e rënduar me vërshime dhe bllokim të disa rrugëve, ngritje të nivelit të ujit, dalje nga shtrati i disa lumenjve dhe rrëshqitje të dheut për shkak të reshjeve atmosferike”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Ndërkohë thuhet se pavarësisht keqja, situata është duke u menaxhuar.

“Mirëpo, situata është duke u menaxhuar me sukses nga mekanizmat lokal, që janë në vend të ngjarjes dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për mbështetje nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimeve të komunave është bërë e ditur që lumi “Drenica”, ka dal nga shtrati si dhe në fshatin Dumosh të komunës së Podujevës, janë bllokuar disa shtëpi nga reshjet e shiut. 

(Kosova Sot Online)