Macron ia hap dyert Serbisë për dialog me Kosovën, Vuçiqi: Le t’i afrohemi një marrëveshjeje

  • E.K /
  • 01 February 2021 - 14:08
Macron ia hap dyert Serbisë për dialog me Kosovën, Vuçiqi: Le t’i afrohemi një marrëveshjeje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pritur sot në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Vuçiq e falenderoi Macronin ndërsa tha se shpreson në vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

“Franca nuk është vetëm një vend i rëndësishëm për ne, por mik i vërtetë”, tha Vuçiq.

Ai e falënderoi Macronin posaqërisht për bashkëpunimin në projektin e ndërtimit të një metroje në Beograd, ndërsa siç edhe tha para takimit, ai foli edhe për Kosovën.

“Çështja e Kosovës dhe Metohisë është një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe nuk është aspak e lehtë. Të gjithë duhet të punojmë për arritjen e një zgjidhje kompromisi për të dy palët, gjë që nuk ka qenë deri më tani. Unë kam qenë gjithmonë i gatshëm ta dëgjojë presidentin Macron dhe idetë e tij. Le të përpiqemi t’i afrohemi një marrëveshjeje. Unë do t’ia paraqes platformën tonë presidentit Macron dhe jam i sigurt se do të kemi një marrëveshje të ndershme dhe të hapur dhe se do të arrijmë diçka në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Ai tha se një temë tjetër, gjithashtu e rëndësishme është rruga e Serbisë drejt BE-së.

“Serbia ka treguar aftësitë e saj. Tani po merremi me rrugën evropiane të Serbisë, kur presidenti Macron propozoi një agjendë të re për këtë. Ne ramë dakord për këtë. […] Shpresoj se me mbështetjen e tij ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë”, tha presidenti serb.

Ndërkaq presidenti i Francës, Emmanuel Macron e falenderoi Vuçiqin për vizitën dhe i ofroi “dyer të hapura” në rrugën e normalizimit dhe arritjes së paqes.

“Llogarisni në dyert e mia, e unë do të vazhdojë të jem me ju derisa të arrijmë përparim në këtë rrugë, në rrugën e normalizimit, por edhe në rrugën që na sjellë stabilitet e paqe në rajon dhe e di se ky është synimi i juaj”, tha Macron.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë me popullin e Serbisë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)