Qesharake: Rusia ankohet pse në seancën e Navalnyt ka diplomatë të huaj

  • G.G /
  • 02 February 2021 - 13:17
Qesharake: Rusia ankohet pse në seancën e Navalnyt ka diplomatë të huaj

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha të martën se prania e diplomatëve të huaj në seancën për figurën kryesore opozitare, Alexei Navalny, është dëshmi e përpjekjeve të Perëndimit për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Moskës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në një postim në Facebook se prania e diplomatëve në gjykatë është dëshmi e atyre që i quajti përpjekje të Perëndimit për ta kontrolluar Rusinë.

Në seancën e së martës, gjykata pritet të vendosë nëse kreut opozitar do t’i caktohet masë më e gjatë e paraburgimit, shkruan Reuters.

Navalny akuzohet për shkelje të vazhdueshme të rregullave të lirimit me kusht në një rast që ka nxitur protesta mbarëkombëtare dhe shqyrtim të sanksioneve të reja nga vendet perëndimore.

Figura kryesore opozitare u arrestua në vendlindje posa u kthye nga Gjermania, ku u trajtua pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok. Navalny për këtë helmim e ka fajësuar pushtetin në Rusi, por Kremlini ka mohuar se ka gisht në këtë rast.

(Kosova Sot Online)