Përfaqësuesit e VV’së: KQZ’ja ka bërë shkelje të rënda ligjore

  • G.G /
  • 02 February 2021 - 13:40
Përfaqësuesit e VV’së: KQZ’ja ka bërë shkelje të rënda ligjore

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alim Rama kanë kritikuar këtë institucion për tejkalimin e afateve kohore dhe për jo transparencë gjatë procesit të regjistrimit dhe verifikimit të votueseve jashtë vendit. Sipas tyre, KQZ’ja ka bërë shkelje ligjore në këtë proces, si dhe nuk është treguar transparente gjatë verifikimit të aplikacioneve të tyre.

“Ne e kemi thirr me qellim të nxjerrjes së të gjitha fakteve dhe bërjes transparente me gjendjen e krijuar lidhur me votimin jashtë vendit. Ashtu siç e dini nga numri i madh i aplikimeve në KQZ, nga jashtë, tanimë ende nuk e kemi listën përfundimtare të rregulluar që tregon se sa aplikues janë konfirmuar, sa janë refuzuar dhe se si ka kaluar procesi i verifikimit përmes telefonit. Siç e dimë ky proces nuk ka përfunduar ai.

Kurteshi theksoi se KQZ’ja ka bërë shkelje ligjore duke mos u respektuar afatet e përcaktuara për zgjedhjet e parakohshme në vend.

“Sot është 2 shkurti dhe është dashur që të fillohet me fletë votimin dhe votimin jashtë vendit. KQZ askund nuk është e përgatitur, e ka shkelur këtë afat dhe kjo është një ndër shkeljet më të rënda”, ka deklaruar ai.

Ai tha se shkeljet që po bëhen në KQZ, janë duke u minuar nga përfaqësuesit e LDK’së dhe PDK’së në KQZ.

“Kjo nuk është shkelja e parë e as e fundit në këtë proces zgjedhor e që po e minojnë partitë politike PDK dhe LDK së bashku me kryetaren e KQZ’së dhe Sekretariati që nuk ka mundur që të planifikoj resurset njerëzore dhe teknike për ta përmbushur afatin”, ka thënë Kurteshi.

Sipas përfaqësuesit të VV’së, në KQZ, ky institucion ka bërë shkelje penale në rastin e votimit të aplikuesve nga jashtë për xgje4dhjet e 14 shkurtit.

“Në rrafshin e kryerjes së veprave penale dhe atë të së paku dy veprave penale. Njëra shkelje penale sipas Kodit Penal është Neni 205, ‘Cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik’. Qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit u është cenuar kjo e drejtë sepse nuk u është dhënë e drejta për të kundërshtuar për listën e qytetarëve që kanë aplikuar për votim”, ka thënë ai.

Një shkelje tjetër penale, që sipas Kurteshit e ka bërë KQZ’ja është edhe “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar” dhe “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë Zgjedhjeve”.

“Më tutje, me veprimet e veta, me gjitha pengesat e krijuara deri tani, KQZ’ja si person juridik dhe personat fizik brenda saj kanë bërë edhe vepra tjetra penale që është ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar në çfarëdo forme sipas nenit 209, dhe neni 211 ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë Zgjedhjeve’”, ka deklaruar më tutje ai. 

(Kosova Sot Online)