Një ditë pas njohjes, Vjosa Osmani flet në telefon me kryetarin e Kuvendit të Izraelit

  • G.G /
  • 02 February 2021 - 14:57
Një ditë pas njohjes, Vjosa Osmani flet në telefon me kryetarin e Kuvendit të Izraelit

Një ditë pasi Kosova dhe Izreali lidhën marrëdhënie diplomatike, Uushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin.

SIpas ZPRK’së, Osmani e ka falënderuar z.Levin për vendimin e shtetit të tij për ta njohur shtetin e Kosovës, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera.

“U.d. Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse”, thuhet në komunikatë.

Nga Presidenca kanë thënë edhe se Levin e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Komunikata e plotë:

U.d. Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izreaelit ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Knessetit (Kuvendi i Izrealit), z.Yariv Levin.

Zonja Osmani e ka falënderuar z.Levin për vendimin e shtetit të tij për ta njohur shtetin e Kosovës, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Izraelin i ka konsideruar të rëndësisë strategjike.

U.d. Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse.

Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, zonja Osmani ka potencuar rëndësinë e fillimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke e pas parasysh faktin se legjislativi kosovar tashmë ka krijuar Grupin e Miqësisë me Izraelin.

Më tej, në këtë bisedë telefonike, u.d. Presidetnja Osmani i ka thënë z.Levin se Kosova do ta mbështes çdo iniciativë globale kundër antisemitizmit.

“Antisemitizmi nuk ka gjetur vend në Kosovë. Në këtë plan ne do të punojmë edhe me rininë kosovare lidhur me edukimin e tyre për luftën kundër antisemitizmit”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Izraelit, z.Yariv Levin, në fund të kësaj bisede telefonike e ka ftuar u.d. Presidenten Osmani për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

(Kosova Sot Online)