Kosovarët dhe serbët janë për dialog, por s’shohin asnjë përfitim personal nga ai

  • E.K /
  • 02 February 2021 - 16:51
 Kosovarët dhe serbët janë për dialog, por s’shohin asnjë përfitim personal nga ai

Shumica e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi janë pro dialogut ndërmjet dy vendeve, por shumica dërmuese e tyre në të dy vendet nuk shohin asnjë përfitim peronal prej tij.

Të gjeturat vijnë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (QBPS) që e kanë matur përceptimin e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Në bazë të të gjeturave, del se 68% e qytetarëve në Kosovë dhe 51% e qytetarëve në Serbi janë për dialog.

Në Kosovë janë më pesimistë sa i përket pritjeve në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Vetëm 42% e kosovarëve besojnë se Kosova dhe Serbia mund të kenë raporte normale në një të ardhme të afërt. Për këtë besojnë më shumë në Serbi, përkatësisht del se 73% e qytetarëve atje shohin mundësinë që në të ardhmën e afërt të ketë raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, pak qytetarë nga dy vendet fqinje në Ballkan kanë njohuri për përmbajtjen e këtij dialogu. Shumica në dy anët besojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është transparent.

Sipas këtyre gjetjeve, vetëm 9% e kosovarëve mbështesin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përceptimet:

68% në Kosovë janë në favor të dialogut me Serbinë; 51% në Serbi janë në favor të dialogut me Kosovën

42% e kosovarëve besojnë se në të ardhmen e afërt mund të ketë raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; në Serbi 73%

11% e qytetarëve të anketuar në Kosovë pohojnë se kanë njohuri për përmbajtjen e dialogut; 17% në Serbi thonë se kanë njohuri për të njëjtën

Në Kosovë 77% e të anketuarve thonë se dialogu është jotransparent; në Serbi 81%

Vetëm 9% e kosovarëve e mbështesin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Shumica e qytetarëve nuk shohin asnjë përfitim personal nga dialogu (Kosovë 80%, Serbi 90%)

92% e serbëve dhe 42% e kosovarëve besojnë që nuk mund të ketë paqe mes dy popujve.

(Kosova Sot Online)