Alexei Navalny dënohet me tre vjet e gjysmë burg

  • A.P /
  • 02 February 2021 - 19:25
Alexei Navalny dënohet me tre vjet e gjysmë burg

Alexei Navalny është dënuar me tre vjet e gjysmë burg për shkeljen e një dënimi me kusht.

Kështu ka vendosur një gjykatë në Moskë për kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny.

“Gjykata vendosi në favor të Shërbimit të Ndëshkimit Federal [Rus] për prishjen e vendimit të dënimit me kusht kundër A. Navalny. Ai u caktua në paraburgim para se vendimi të hynte në fuqi”, tha me rastin e leximit të vendimit të gjykatëses, Natalija Repnjikova.

Sipas pretendimeve të mëparshme nga autoritetet ruse, Navalny dhe vëllai i tij dëmtuan financiarisht kompaninë e Yves Rocher, për të cilën ata morën dënime me kusht me burg prej tre vjet e gjysmë.

Sipas BBC, Navalny ka qenë në paraburgim që kur u kthye në Rusi muajin e kaluar. Ai po trajtohej në Gjermani për muaj me radhë pas një sulmi pothuajse fatal që pësoi në muajin gusht me një agjent nervor.

Pas arrestimit të tij mijëra protestues vërshuan në qytetet e Rusisë për të kërkuar lirimin e tij. Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në Gjermani.

Testet laboratorike të kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë vërtetuar se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor të klasës Novichok, një rezultat i konfirmuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike.

(Kosova Sot Online)