Ja pse Vjosa Osmani e injoroi ceremoninë e njohjes nga Izraeli

  • A.P /
  • 02 February 2021 - 19:27
Ja pse Vjosa Osmani e injoroi ceremoninë e njohjes nga Izraeli

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka bërë një veprim skandaloz dje, duke e injoruar ceremoninë e zyrtarizimit të njohjes reciproke Kosovë-Izrael. Ajo refuzoi t’u bashkohet në ceremoninë e rëndësishme kryeministrit në detyë, Avdullah Hoti dhe ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett. Osmani dje qëndroi në kryeqytet, por zgjodhi ta vizitonte një kopsht të fëmijëve në Prishtinë. Për ngjarjen e rëndësishme të zyrtarizimit të njohjes së Kosovës nga Izraeli, ajo u mjaftua duke e çuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këshilltarin e saj, Faton Peci.

Vjosa Osmani është shfaqur shumë aktive ditëve të fundit, duke kërkuar gjithandej votat e qytetarëve përpara garës zgjedhore të 14 shkurtit. Ritmin nuk e ndali as dje, kur Kosova regjistroi njohjen zyrtare nga Izraeli në një ceremoni që u zhvillua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Osmani nuk shkoi aty, duke zgjedhur ta vazhdonte fushatën në terren.

Gazeta Express ka pyetur në Presidencë lidhur me agjendën dhe aktivitetet që Osmani i ka pasur gjatë ditës së djeshme dhe për arsyet se pse ajo nuk ka marrë pjesë në ceremoni. Përgjigjja ka munguar, por vetë Osmani përmes faqes së saj në Facebook ka treguar se si e ka kaluar të hënën e kësaj jave.

Në kohën kur nisi ceremonia, ushtruesja e detyrës së presidentes publikoi në Facebook një fotografi të bërë para pak ditësh ku shihej duke ecur sheshit të Mitrovicës së Jugut bashkë me ish-rivalin e saj politik, Albin Kurti dhe një turmë njerëzish përreth.

Pak minuta para se të niste ceremonia e vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtetin e fuqishëm nga Azia Perëndimore, Osmani ishte duke xhiruar një video për fushatë me fëmijët e një kopshti në Prishtinë.

“Sot, në Qendrën edukative “Loja”, pashë shumë fëmijë, talenti i të cilëve po kultivohet sot dhe i cili nesër do të jetë në funksion të të mirës së përgjithshme”, shkroi ndër tjerash Osmani mbi videon e publikuar në Facebook.

(Kosova Sot Online)