Kulla e Eiffelit i nënshtrohet renovimit më të shtrenjtë para Lojërave Olimpike

  • G.G /
  • 03 February 2021 - 12:28
Kulla e Eiffelit i nënshtrohet renovimit më të shtrenjtë para Lojërave Olimpike

Kulla e Eiffelit do t’i nënshtrohet renovimit më të shtrenjtë në historinë e saj 130-vjeçare për t’u dukur sa më bukur për Lojërat Olimpike të vitit 2024, që do të mbahen në Paris. Pjesë e renovimit është edhe ngjyra që do t’i japë nuancë ari.

Jo vetëm që kullës do t’i hiqen 19 shtresat e ngjyrosjes së mëparshme, por ikona e Parisit gjithashtu do ta humbë edhe të kaftën karakteristike, të cilën e ka mbajtur që nga viti 1968.

Kjo ngjyrë do të zëvendësohet me një ngjyrë kafe në të verdhë, të cilën vetë Gustave Eiffel e dëshironte për monumentin e tij, shkruan France24.

“Ajo do t’i japë Kullës Eiffel pak më shumë nuancë ari sesa ngjyra që jemi mësuar ta shohim, në kohën e duhur për Lojërat Olimpike”, tha Patrick Branco Ruivo, shef ekzekutiv i kompanisë që e ka në mbikëqyrje monumentin e famshëm.

Renovimi i kullës së gjatë 324 metra, të ndërtuar nga 18.000 pjesë metalike, pritet të kushtojë 50 milionë euro.

Heqja e shtresave të vjetra të ngjyrës së kullës është bërë e rrezikshme për shkak të pranisë së plumbit, prandaj kërkohet protokoll i rreptë shëndetësorë për punëtorët që do ta realizojnë procesin e renovimit.

Ndryshe, Kulla e Eiffelit ngjyroset çdo shtatë vjet, edhe me qëllim që të duket më bukur, por edhe për t’ia mbrojtur strukturën metalike nga era, shiu dhe dielli.

(Kosova Sot Online)