Palestina i kërkon Kosovës anulimin e vendimit për Ambasadën në Jerusalem

  • G.G /
  • 03 February 2021 - 16:34
Palestina i kërkon Kosovës anulimin e vendimit për Ambasadën në Jerusalem

Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës ka reaguar sot ndaj zyrtarizimit të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael, duke e përshkruar këtë akt si zhgënjyes dhe duke i bërë thirrje Kosovës ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem, raporton agjencia palestineze e lajmeve, Wafa.

“Marrëveshja që Kosova e nënshkroi me fuqinë okupuese (Izraelin) dhe deklarimi i synimit të saj për ta hapur ambasadën në Jerusalemin e okupuar është një hap që bie ndesh me gjithçka që Kosova po përpiqet të bëjë për ta bindur botën ta njohë atë”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.

“Kjo na tregoi, si shtet i Palestinës, dhe grup arab dhe islamik, se ajo [Kosova] e ka injoruar ligjin ndërkombëtar, legjitimitetin ndërkombëtar dhe rezolutat e saj dhe kanë bërë shkelje të qartë dhe haptazi, gjë që do ta bënte të vështirë për çdo vend të mendonte ta njihte atë”.

Palestina i bëri thirrje Kosovës që së pari të mendojë për interesat e saj dhe angazhimin për legjitimitetin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare në mënyrë që të bëhet anëtare e pranuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe rendit botëror, raporton mediumi palestinez.

Ministria e Jashtme i bëri thirrje Kosovës “të rishikojë shpejt këtë hap dhe ta korrigjojë këtë veprim të gabuar nëse dëshiron të japë një shembull të angazhimit të saj për ligjshmërinë ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Të hënën u mbajt ceremonia virtuale e vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Pas deklaratave, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi e kanë falenderuar e uruar njëri-tjetrin. Kryediplomati izraelit e ka cilësuar historike ditën e hënë, duke e falenderuar SHBA-në për këtë, ndërsa më pas e ka zbuluar një pllakë me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.

Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem. 

(Kosova Sot Online)