Pasi organizoi puç, ushtria e Birmanisë bllokon qasjen në Facebook

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 08:36
Pasi organizoi puç, ushtria e Birmanisë bllokon qasjen në Facebook

Ushtria e Birmanisë ka filluar ta pengojë qasjen e qytetarëve në Facebook, duke u përpjekur që t’i zhdukë shenjat e pakënaqësisë disa ditë pasi e rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të zonjës Aung San Suu Kyi.

Një nga mënyrat më të popullarizuara të komunikimit në Birmani, Facebook-u është përdorur për të organizuar një fushatë të kundërshtimit civil, me ç’rast mjekët në dhjetëra spitale e ndërprenë punën për të protestuar kundër veprimeve të ushtrisë.

Ky rrjet social është përdorur për të shpërndarë plane rreth protestave të mbrëmjes, në të cilat banorët dalin në ballkone për t’i goditur enët, veprim simbolik për ta larguar djallin, shkruan The Guardian.

Ministria e Komunikimit dhe Informacionit tha se Facebook-u, që përdoret nga gjysma e popullsisë 53-milionëshe të Birmanisë, do të jetë i bllokuar deri të dielën me arsyetimin se njerëzit po i sjellin telashe stabilitetit të vendit duke e përdorur këtë rrjet për të shpërndarë lajme të rreme dhe dezinformata.

Zyrtarët e Facebook-ut konfirmuan se janë të vetëdijshëm për bllokimin, ndërsa rrjeti “NetBlocks”, që e vëzhgon ndërprerjen e internetit përreth botës, tha se ofruesit e shërbimeve në Birmani po e bllokojnë qasjen edhe në Instagram dhe WhatsApp, të cilat janë pronë e Facebook-ut.

(Kosova Sot Online)