Turqia reagon pas protestave të studentëve, akuzon vendet tjera: “Shikojeni veten së pari”

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 09:28
Turqia reagon pas protestave të studentëve, akuzon vendet tjera: “Shikojeni veten së pari”

Ministria e Jashtme e Turqisë ka reaguar pas protestave të studentëve në një universitet të Stambollit, duke e hedhur gurin diku tjetër dhe duke bërë akuza për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

“I paralajmërojmë ato qarqe që të mos përdorin gjuhë që provokon grupe që zgjedhin mënyra ilegale dhe që inkurajojnë akte ilegale”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie, e cila tha se në protestat në Universitetin Bogazici ka ndërhyrje të jashtme, shkruan Anadolu.

Protestat shpërthyen për shkak të pakënaqësisë për emërimin e profesorit Mehmet Bulu rektor të ri. Ai më parë ka qenë kandidat i partisë në pushtet për deputet. Studentët kanë thënë se zgjedhja e tij në postin e ri ka qenë jodemokratike dhe po ia kërkojnë dorëheqjen.

Ministria e Jashtme akuzoi vendet tjera për përdorim të dhunës nga forcat e sigurisë ndaj civilëve të pafajshëm. “Pamjet e fundit të dhunës disproporcionale nga forcat e sigurisë ndaj qytetarëve të pafajshëm në ankesën më të lehtë kundër qeverisë në shumë shtete – që janë quajtur demokraci të zhvilluara – janë ende në kujtesë”, tha kjo ministri.

Për më tepër, ministria tha se ata që mundohen t’i japin mësim Turqisë rreth demokracisë dhe ligjit ta shikojnë së pari veten. “Nuk është brenda kufirit të askujt që të përpiqet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Turqisë”, thuhet në deklaratë.

Ndonëse në deklaratë nuk përmenden emra shtetesh, këto akuza tërthorazi mund t’u jenë drejtuar Francës dhe Shteteve të Bashkuara, ku vitin e kaluar ka pasur protesta të dhunshme dhe incidente mes policisë e protestuesve.

Në Francë, policia është akuzuar për përdorim të dhunës së tepërt ndaj protestuesve në Paris dhe ndaj një qytetari me ngjyrë në studion e tij muzikore.

(Kosova Sot Online)