Ministri britanik: “Në botë janë rreth 4.000 variante të koronavirusit”

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 09:53
Ministri britanik: “Në botë janë rreth 4.000 variante të koronavirusit”

Ministri përgjegjës për shpërndarjen e vaksinave në Britani të Madhe ka thënë se në botë janë rreth 4.000 variante të koronavirusit që e shkaktojnë sëmundjen Covid-19.

Sipas tij, prodhuesit e vaksinave kundër sëmundjes së re janë duke u përpjekur që t’i përmirësojnë vaksinat dhe ka shumë pak gjasa që vaksinat të mos funksionojnë kundër varianteve të reja të virusit, shkruan The Guardian.

“Ka shumë pak gjasa që vaksina e tanishme të mos jetë efektive ndaj varianteve, qoftë në Kent (Britani) apo ndaj varianteve tjera, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundjen e rëndë dhe hospitalizimin”, tha ministri Nadhim Zahawi.

“Të gjithë prodhuesit, Pfizer-BioNTech, Oxford-AstraZeneca, Moderna dhe të tjerët po shikojnë se si mund t’i përmirësojnë vaksinat e tyre për t’u siguruar që jemi gati për çfarëdo varianti – janë rreth 4.000 variante në botë tash për tash”, shtoi ai.

Ndryshe, në Britani të Madhe është paraqitur varianti B.1.1.7, i cili ka shkaktuar shqetësim për mundësinë e shtimit të përhapjes së virusit për shkak se ekspertët besojnë që është shumë më ngjitës se varianti fillestar.

(Kosova Sot Online)