Burri “me brirë” humb 9 kilogramë në burg, kërkon ushqim organik

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 11:41
Burri “me brirë” humb 9 kilogramë në burg, kërkon ushqim organik

Një gjykatës të mërkurën i urdhëroi autoritetet korrektuese që t’i ofrojnë ushqim organik protestuesit të famshëm nga Arizona, Jacob Chansley, i cili mori pjesë në sulmin ndaj ndërtesës së Capitol-it muajin e kaluar.

Urdhri erdhi pasi një avokat i të pandehurit u ankua se klienti i tij nuk ka ngrënë ushqim nëntë ditë, sepse në burgun ku po mbahet ai nuk është duke u shërbyer ushqim organik, shkruan Fox News.

Avokati Albert Watkins tha se Chansley ka humbur nëntë kilogramë që nga koha kur është transferuar nga Arizona në Uashington javën e kaluar. Chansley, që veten e quan QAnon Shaman, vlerëson se ushqimi organik është pjesë e sistemit të tij të jetesës, tha avokati.

Kërkesën e tij për ushqim organik në burg Chansley e mbështeti në të drejtën për liritë fetare, duke thënë se këtë dietë e ka përdorur tetë vjet, përderisa e ka praktikuar “Shamanizmin”.

Ky person për një kohë të gjatë ka qenë figurë e njohur në tubimet që janë mbajtur nga përkrahësit e Trumpit. Ai tani po përballet me akuza për sulm ndaj Capitol-it. Chansley ka lënë të kuptohet se përkrahësit kanë marrë urdhra nga ish-presidenti.

Sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë, së paku 95 persona janë akuzuar në lidhje me kryengritjen e organizuar nga përkrahësit e Trumpit në fillim të janarit, ku mbetën të vdekur pesë persona: katër kryengritës dhe një polic.

(Kosova Sot Online)