Merkel: Nuk ka më shumë liri për të vaksinuarit

  • A.P /
  • 04 February 2021 - 17:08
Merkel: Nuk ka më shumë liri për të vaksinuarit

Qeveria gjermane po përballet me kritika për mënyrën sesi po përballet me pandeminë koronavirus, por mesa duket Angela Merkel i ka të qarta prioritetet.

Gjatë një dialogu online me familje gjermane, të përzgjedhura rastësisht e të transmetuar në televizion, kancelarja Merkel iu ktheu përgjigje shqetësimeve të tyre, kryesisht lidhur me pagesën e papunësisë dhe goditjes së biznesit përgjatë 1 viti pandemi.


“Ajo që unë mund të premtoj, është se gjëja e parë që ne do të hapim përsëri do të jenë qendrat e kujdesit ditor dhe shkollat ëfillore, mbi të gjitha të tjerat”, u shpreh Merkel.

Aktualisht Këshilli Gjerman i Etikës po mendon lehtësimin e kufizimeve për qytetarët, së paku ata që janë vaksinuar kundër koronavirusit, por mes ekspertëve ekziston ende frika se edhe të vaksinuarit mund të përbëjnë kërcënim për përhapjen e Covidit.

“Kur ky rrezik të zvogëlohet më tej me sukses, atëherë edhe masat për të luftuar pandeminë e që kanë kufizuar qytetarët, mund të tërhiqen dalëngadalë”.

Kancelarja Merkel theksoi se objektivi i qeverisë gjermane është vaksinimi i 10 milionë qytetarëve brenda 3-mujorit të parë të vitit, por kritikët thonë se ky proces po ecën me hapa të ngadaltë, krahasuar me vendet e tjera, mes tyre Britania e Madhe, Izraeli apo SHBA.

Gjithsesi Merkel shprehet optimiste se çdo i rritur në Gjermani, deri në fund të verës, do të jetë i imunizuar ndaj Covid-19.

(Kosova Sot Online)