E vrau burrin pasi ai e torturoi gjithë natën, 31-vjeçarja përballet me burgim të përjetshëm

  • G.G /
  • 05 February 2021 - 07:58
E vrau burrin pasi ai e torturoi gjithë natën, 31-vjeçarja përballet me burgim të përjetshëm

Melek Ipek, 31 vjeç, nga Turqia mbrëmjen e 7 Janarit qëlloi për vdekje me armë të shoqin Ramazan Ipek, 36 vjeç. Melek vrau me çifte bashkëshortin e saj pas torturave të vazhdueshme, të cilat kishin arritur kulmin natën e krimit.

Pas krimit, Melek thirri policinë duke u dorëzuar, ndërsa policët panë se ajo kishte të nxira në të gjithë trupin, përfshirë edhe fytyrën. Ajo tregoi se ishte torturuar vazhdimisht nga bashkëshorti i saj, por kulmi kishte arritur natën e ngjarjes së rëndë ku ai e kishte lidhur me pranga duke kërcënuar se do ta vriste.

Pavarësisht se ngjarja ndodhi në rrethana të vështira, prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për 31-vjeçaren.

Melek ka treguar se prej 15 vitesh ka patur probleme me bashkëshkortin.

“Një natë më parë më tha se donte të ndahej dhe po flisnim se kush do t’i mbante fëmijët. Pasi ata ranë në gjumë filloi të më rrihte duke më lidhur duart me pranga. Më rrahu vazhdimisht duke më vendosur thikën në pjesë të ndryshme të trupit. Më kishte rënë të fikët dhe e gjeta veten në lakuriq në tualet. Ndjeva që më kishte përdhunuar. Gjatë gjithë natës më rrahu duke më lidhur me pranga. Më qëlloi edhe me çifte, por plumbi s’më kapi. Një moment, kur ai doli nga shtëpia unë mora çiften dhe qendrova në cep të dhomës. Kur ai hyri sërish, shkelmoi derën dhe u hodh sipër. Arma u shkrep dhe mendova se do të vdisja aty, por pashë që u shtri në tokë dhe po i dilte gjak. Pastaj thirra policinë”, tregoi 31-vjeçarja.

(Kosova Sot Online)