Bideni ia ndërpret përkrahjen ushtarake Arabisë Saudite për luftën në Jemen

  • G.G /
  • 05 February 2021 - 09:26
Bideni ia ndërpret përkrahjen ushtarake Arabisë Saudite për luftën në Jemen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se vendi i tij do t’ia ndërpresë përkrahjen Arabisë Saudite për fushatën ushtarake në Jemen, duke thënë që lufta atje duhet të marrë fund.

Ai gjithashtu e caktoi diplomatin veteran, Timothy Lenderking si të dërguar të posaçëm të ShBA-së për Jemenin në përpjekje që të çohet përpara synimi i përfundimit të luftës në Jemen, që, sipas Bidenit, ka krijuar katastrofë humanitare dhe strategjike.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Jemeni është kriza më e madhe humanitare në botë. 80 për qind e popullsisë së këtij vendi ka nevojë për ndihma humanitare, shkruan Reuters.

“Kjo luftë duhet të përfundojë dhe për ta theksuar përkushtimin tonë, ne do t’i japim fund tërë përkrahjes amerikane për operacionet sulmuese në luftë në Jemen, përfshirë shitjet përkatëse të armëve”, tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë.

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në vitin 2015, duke u dhënë përkrahje forcave qeveritare që po luftonin kundër rebelëve Houthi, të cilët besohet se janë të lidhur me Iranin. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara po përpiqen që t’i rikthejnë bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së gjatë e të përgjakshme në shtetin e Gadishullit Arabik.

(Kosova Sot Online)