“Vuçiq e kupton shumë mirë politikën e Bidenit dhe e di se ajo do të zbatohet”

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 11:33
“Vuçiq e kupton shumë mirë politikën e Bidenit dhe e di se ajo do të zbatohet”

“Kjo është një politikë që Vuçiq e kupton shumë mirë dhe e cila do të zbatohet në Ballkan dhe Serbi, veçanërisht në periudhën e ardhshme”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, beson se askush nuk mund të habitet nga letra e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, sepse një politikë e tillë u paralajmërua kur ai i fitoi zgjedhjet. Ajo thotë se Biden i kujtoi Serbisë detyrimet e saj në dialog me Kosovën.

“Kishte shumë deklarata nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ai është i rrethuar nga njerëz që e njohin mirë Ballkanin”, i tha Biserko medias në gjuhën serbe.

“Kjo është adresimi i parë me shkrim drejtuar Serbisë zyrtare për të thënë urime për festën dhe atë që ata presin nga ajo në të ardhmen. Kjo është një politikë që Vuçiq e kupton shumë mirë dhe e cila do të zbatohet në Ballkan dhe Serbi, veçanërisht në periudhën e ardhshme”, thekson Biserko.

Siç thotë ajo, kjo është një periudhë pritjeje për të filluar politika aktive e SHBA-së dhe BE-së për çështjen e Kosovës, por edhe të rajonit.

Sipas saj, Kosova mbahet e hapur si një çështje që as opozita dhe as qeveria serbe nuk do ta heqin, për sa kohë që ata mund të mobilizojnë mbështetje në zgjedhje dhe për çdo situatë në të cilën nevojitet homogjenizimi i kombit serb.

Ajo vlerësoi se nuk pritet përparim në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së, kryeissht për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.

Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti të dielen në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.

Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. 

(Kosova Sot Online)