Gjyqi i komandanteve të UÇK-së, nesër sërish para Speciales Thaçi dhe të tjerët

  • E.K /
  • 10 shkurt 2021 - 09:29
Gjyqi i komandanteve të UÇK-së, nesër sërish para Speciales Thaçi dhe të tjerët

Të enjten pritet të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit në Hagë, e cila pritet të nis në orën 11:00.

Kjo është e treta seancë që mbahet që prej arrestimit të tyre.

Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit të jetë në shtator të vitit 2021.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021”, thuhet në pikën e 19’të të kësaj shkrese.

Sipas tyre koha e përcaktuar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë.

“Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur”, thuhet në shkresën e zyrës së prokurorit të specializuar drejtuar gjykatës.

Në të njëjtën shkrese Zyra e Prokurorit të Specializuar thekson se “mbrojtja në mënyrë të përsëritur ka theksuar se përcaktimi i një afati të shkurtër kohore është përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”.

(Kosova Sot Online)