Senatorët amerikanë e akuzojnë Erdoganin për disa çështje, kërkojnë trysni nga Bideni

  • G.G /
  • 10 February 2021 - 13:11
Senatorët amerikanë e akuzojnë Erdoganin për disa çështje, kërkojnë trysni nga Bideni

Shumica e senatorëve amerikanë i bënë thirrje administratës së presidentit Joe Biden që të kërkojë nga Turqia që të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut.

Pesëdhjetë e katër nga njëqind senatorët amerikanë e nënshkruan letrën me të cilën e akuzuan presidentin turk, Rexhep Erdogan, për margjinalizim të opozitës, mbyllje të gojës së medieve kritike, burgosje të gazetarëve dhe spastrim të gjykatave nga gjykatësit e pavarur.

“Ju nxisim që të theksoni te presidenti Erdogan dhe administrata e tij se ata duhet që menjëherë t’i japin fund shtypjes së tyre ndaj pakënaqësive në vend dhe jashtë, t’i lirojnë të burgosurit politikë dhe ta kthejnë mbrapsht drejtimin e tyre autoritar”, thuhet në këtë letër.

Turqia, anëtare e NATO-s, së fundi ka thënë se dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara gjatë qëndrimit të Bidenit në pushtet, pasi Uashingtoni vitin e kaluar i vendosi sanksione Turqisë për shkak të blerjes së sistemit raketor rus për mbrojtje ajrore, S-400.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të jetë më i ashpër ndaj Ankarasë sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut, shkruan Reuters.

Që nga puçi i dështuar i vitit 2016, qeveria e Erdoganit ka arrestuar rreth 300.000 persona dhe ka pezulluar ose shkarkuar nga puna mbi 150.000 shërbyes civilë. Qindra medie janë mbyllur dhe dhjetëra ligjvënës të opozitës janë burgosur.

(Kosova Sot Online)