Kina: Tash, hetojeni në SHBA origjinën e koronavirusit

  • E.K /
  • 10 February 2021 - 13:57
Kina: Tash, hetojeni në SHBA origjinën e koronavirusit

Kina u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta lejuar OBSH-në që ta hetojë origjinën e shpërthimit të pandemisë Covid-19 atje, pasi OBSH përfundoi punën në terren në qytetin kinez të Wuhanit.

“Ne duam që pala amerikane, sikurse Kina, të mbajë qëndrim të hapur dhe transparent dhe t’u bëjë thirrje ekspertëve të OBSH-së në Shtetet e Bashkuara të kryejnë kërkime dhe të kontrollojnë origjinën e koronavirusit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, raporton Reuters.

Disa orë pasi ekipi i OBSH-së njoftoi gjetjet paraprake në një konferencë shtypi në Wuhan të martën, Washingtoni tha se do t’i shqyrtojë në detaje të dhënat që ekipi përdori në përfundimin se virusi që shkakton Covid-19 nuk e ka origjinën nga laboratori i Wuhanit dhe se minjtë mbeten një burim i mundshëm i infeksionit.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha dje se qeveria amerikane nuk ishte e përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e hetimit të OBSH-së dhe se ajo dëshironte të kryente një auditim të pavarur të gjetjeve dhe të dhënave themelore të këtij misioni, i cili shkaktoi reagime shumë negative në Kinë.

Origjina e pandemisë së koronavirusit, që u identifikua për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019, është politizuar shumë dhe Kina mbron teorinë se Covid-19 mbërriti atje nga jashtë.

(Kosova Sot Online)