Joe Biden zhvillon telefonatën e parë me homologun kinez

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 09:06
Joe Biden zhvillon telefonatën e parë me homologun kinez

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, e zhvilluan telefonatën e parë si udhëheqës shtetesh. Bideni tha se një Paqësor i hapur dhe i lirë është prioritet, ndërsa Jinpingu paralajmëroi se konfrontimi do të ishte katastrofë për të dyja vendet.

Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate tha: “Bideni i theksoi shqetësimet fundamentale rreth praktikave shtrënguese dhe të padrejta të Pekinit, shtypjen e Hong Kongut, raportimet për abuzimin e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe veprimet në rajon, përfshirë Tajvanin”.

Xi Jingping i tha Bidenit se konfrontimi do të ishte katastrofë për të dyja vendet dhe se palët duhet të rithemelojnë metoda për shmangien e gjykimeve të gabuara, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Presidenti kinez mbajti tonë të ashpër rreth Hong Kongut, Xinjiangut dhe Tajvanit, për të cilët homologut amerikan i tha se janë çështje të sovranitetit dhe integritetit territorial, ndaj të cilave shpreson se Shtetet e Bashkuara do të qasen me kujdes, shkruan Reuters.

Gjatë pushtetit të ish-presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara morën një varg masash kundër Kinës, përfshirë luftën tregtare, sanksionet kundër zyrtarëve dhe kompanive kineze që u vlerësuan si kërcënim për sigurinë dhe sfidimin e pretendimeve territoriale të Kinës në Detin Jugor.

Gjatë fushatës zgjedhore, Bideni e ka quajtur bandit Jinpingun dhe është zotuar se do t’i udhëheqë përpjekjet ndërkombëtare për t’i bërë presion Kinës, për ta izoluar dhe ndëshkuar atë.

(Kosova Sot Online)