Shqip në Kuvendin e Serbisë, Daçiq reagon pas fjalimit të Kamberit: E demantoi veten

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 11:03
Shqip në Kuvendin e Serbisë, Daçiq reagon pas fjalimit të Kamberit: E demantoi veten

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq tha mbrëmë se deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, duke folur në shqip në Kuvend, “e demantoi veten se Serbia është shtet i urrejtjes dhe tregoi se është një shtet me një shkallë të lartë të të drejtave të pakicave kombëtare”, raporton Tanjug.

Daçiq, duke iu referuar kritikave që erdhën dje pasdite nga deputetët e Lëvizjes Socialiste se nuk reagoi kur Kamberi foli shqip, tha se kur ia jep fjalën dikujt, nuk vlerëson se çfarë do të thotë ai, por nëse ai ka të drejtë të flasë apo jo.

Ai kujtoi se Ligji për Asamblenë Kombëtare në Serbi nga viti 2010 përcakton se një deputet ka të drejtë të flasë dhe të paraqesë dokumente të shkruara në gjuhën e tij, por që ai personalisht konsideron se dispozita është e pasaktë.

Ai thotë se ligji thotë se Sekretari i Përgjithshëm është i detyruar të sigurojë një përkthim, por që nuk është e qartë nëse fakti që Parlamenti nuk ka një përkthyes në atë moment, e ndalon dikë të flasë.

“Kjo është arsyeja pse dje i kërkova Sekretariatit të Përgjithshëm t’i drejtohej ministrisë përkatëse, e cila miratoi ligje në lidhje me këtë fushë, për të përcaktuar qartë kushtet në të cilat ushtrohet kjo e drejtë”, tha Daçiq.

Ai theksoi se nuk ka asnjë përkthyes për gjuhën shqipe në sistematizimin e vendeve të punës në Kuvendin e Serbisë.

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, të martën ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe përballë deputetëve të tjerë të këtij Kuvendi.

Kamberi e ngriti zërin ndaj vendimit të  Gjykatës së Lartë në Beograd që refuzoi ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Ai tha se me këtë veprim Gjykata e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”. 

(Kosova Sot Online)