VV’ja kërkon publikimin e listës me votuesit e refuzuar jashtë vendit, kundërshton KQZ’ja

  • S.A /
  • 11 February 2021 - 11:54
VV’ja kërkon publikimin e listës me votuesit e refuzuar jashtë vendit, kundërshton KQZ’ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur sot mbledhjen e radhës. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të publikohet lista e votuesve jashtë vendit e që u është refuzuar aplikimi për votim. Përfaqësuesi i kësaj partie në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë që publikimi i kësaj liste do të ishte në vendim i drejtë i KQZ’së.

“Është kërkuar që të publikohet lista e personave të refuzuar dhe që janë pranuar që kanë të drejtë me e dërgu votën. Këto lista duhet të përputhen sepse me gjasë ka njerëz që nuk e dinë dhe nuk e shohin veten në listën e atyre që kanë aplikuar suksesshëm dhe janë konfirmuar. Kjo është një problem dhe kishte me qenë e drejtë që të publikohet përfundimisht lista përfundimtare e personave të refuzuar”, ka thënë Kurteshi.

Më tutje ai ka kërkuar edhe që data 13 shkurti të jetë data deri kur do të pranohen votat me postë.

“Data 13 shkurtë të jetë datë deri kur pranohet posta me fletëvotime nga jashtë.  Sepse ajo nuk e dëmton në asnjë mënyrë votën që hidhet me 14shkurt në Kosovë”, ka thënë ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së, Burim Ahmetaj, i ka thënë Kurteshi se publikimi i kësaj liste nuk është bërë asnjëherë dhe rrjedhimisht sipas tij nuk do të publikohet as tani.

“Sipas procedurave kjo listë nuk është publikuar asnjëherë. Të gjithë ata që nuk e gjejnë veten në listën e aplikuesve të suksesshëm jashtë vendit janë në listën e refuzimeve”, ka thënë Ahmetaj

Pas kësaj përgjigje të Ahmetaj, ka reaguar përfaqësuesi tjetër i VV’së në KQZ, Alim Rama. Ai e ka quajtur këtë qasje të KQZ’së, jo transparente. 

(Kosova Sot Online )