Palestinezi që iu dogj fytyra bëhet me maskë të prodhuar me printer 3D

  • S.A /
  • 11 February 2021 - 12:18
Palestinezi që iu dogj fytyra bëhet me maskë të prodhuar me printer 3D

Ahmed Al-Natour ishte duke punuar në dyqanin e vet të këpucëve në Gaza, kur një zjarr shpërtheu në një furrë dhe u përhap në lokalet tjera marsin e kaluar.

Njëzet e katër persona vdiqën dhe Ahmedi, 34 vjeç, pësoi djegie të rënda në fytyrë dhe në pjesë tjera të trupit. Pasi u kthye në shtëpi pas disa muajve në spital, ai tani po përdor një maskë terapeutike që është prodhuar në vend për herë të parë.

Duke përdorur një skaner 3D në klinikë dhe një printer 3D në pronësi të një biznesi në Gaza, organizata “Mjekët pa Kufij” e Francës ofron maska për viktimat e djegieve në fytyrë për të ndihmuar në shërimin e tyre dhe përgatitjen për operacion, shkruan Reuters.

Maskat e tejdukshme prodhohen nga materiali i plastikës së ngurtë të importuar nga Franca. Këto maska ndihmojnë për zbutjen e indeve dhe parandalimin e ndërlikimeve dhe lëndimeve në lëkurë.

“Ndihem rehat kur e vendos (maskën) dhe ma relakson fytyrën. Është e lehtë për t’u përdorur dhe unë shkoj në dyqane duke e përdorur atë”, tha Ahmedi, përderisa maskën e kishte të përforcuar në fytyrë me lidhëse elastike.

Në të kaluarën, maskat 3D kanë qenë të qasshme për pacientët me djegie vetëm kur ata kanë udhëtuar në Jordani për operacion në fytyrë.

Masat kufizuese për udhëtime gjatë pandemisë këto udhëtime i kanë bërë të vështira. Vetëm dy pacientë nga Gaza patën mundësi të udhëtojnë në Jordani për operacion të fytyrës gjatë vitit 2020, në krahasim me 25 pacientë në vitin 2019.

(Kosova Sot Online )