Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren dënon fuqishëm vendosjen e afisheve me citate kuranore

  • S.A /
  • 11 February 2021 - 12:12
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren dënon fuqishëm vendosjen e afisheve me citate kuranore

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka reaguar lidhur me afishet e vendosura në këtë qytet që përmbajnë citate kuranore.

KBI Prizren ka dënuar fuqishëm keqpërdorimin e citateve të Kuranit nëpërmjet këtyre afisheve.

“KBI-Prizren e njofton opinionin publik se nuk ka asnjë lidhje me afishet e shpërndara nëpër vende publike, në Prizren. Përkundrazi, Bashkësia Islame e dënon fuqishëm këtë keqpërdorim të citateve të Kur’anit nëpërmjet këtyre letrave e afisheve”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka thënë poashtu se kamerat e sigurisë kanë identifikuar personin që ka vendosur këto afishe.

“Personi që e ka vendosur një të tillë në shtyllën elektrike afër selisë së KBI-Prizren, tashmë është identifikuar nga kamerat e sigurisë. Bëhet fjalë për një qytetar që megjithatë njihet mirë se nuk ka ndonjë prapavijë, porse i beson mendimeve të tij personale. Ftojmë qytetarët e Prizrenit, besimtarët islamë, që të përmbahen nga ndonjë veprim i papeshuar që mund të nxisë gjuhën e urrejtjes, në këtë periudhë të ndjeshme parazgjedhore, por të gjithë si vëllezër e motra, të promovojmë paqe e përbashkim rreth vlerave tona fetare e kulturore”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online )