Lukashenko hap Asamblenë Popullore si në komunizëm, a do ta ndjekin vendet tjera

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 13:38
Lukashenko hap Asamblenë Popullore si në komunizëm, a do ta ndjekin vendet tjera

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, e ka hapur Asamblenë Popullore të stilit sovjetik për të diskutuar rreth reformave dhe zhvillimin e vendit gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, përfshirë ndryshimin e mundshëm të kushtetutës, në përpjekje të qartë për të mbijetuar nga protestat masive kundër pushtetit të tij.

Politikani autoritar, që e ka udhëhequr vendin nga viti 1994, të enjten i hapi punimet e asamblesë dyditore, duke thënë se sulmi i jashtëm ndaj Bjellorusisë ka dështuar, shkruan Free Europe.

“Kemi arritur që ta mbajmë vendin tonë. Tash për tash, duhet të mbahemi, në çfarëdo rrethane. Ky vit, 2021, do të jetë vit vendimtar”, tha Lukashenko para rreth 2.700 delegatëve të asamblesë, kryesisht zyrtarë pro-qeveritarë dhe njerëz të zgjedhur nga autoritetet.

Kundërshtarët e tij e cilësuan këtë asamble si arsyetim të turpshëm që do ta ndihmonte Lukashenkon për të mbetur në pushtet pasi e pretendoi fitoren në zgjedhjet e vitit të kaluar. Perëndimi dhe opozita kanë thënë se këto zgjedhje ishin të manipuluara.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi lëshoi një deklaratë të enjten, duke thënë se kjo asamble nuk është dialog i vërtetë me popullin.

Ndryshe, Bjellorusia pas zgjedhjeve u përfshi nga protestat masive. Forcat e sigurisë i shtypën protestat duke arrestuar mijëra protestues dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre.

Shtetet që më parë kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, si Bjellorusia, Kirgizia dhe Turkmenistani, vlerësohen si vende me pushtete autoritare e shkelje të të drejtave demokratike.

(Kosova Sot Online)