Irani shkel përsëri marrëveshjen bërthamore, prodhon metal uraniumi

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 15:42
Irani shkel përsëri marrëveshjen bërthamore, prodhon metal uraniumi

Irani ka filluar të prodhojë metal uraniumi, pavarësisht është paralajmëruar nga fuqitë botërore se ky veprim paraqet shkelje tjetër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore e vërtetuan ekzistimin e 3.6 gramëve të metalit të uraniumit në një qendër bërthamore në Isfahan javën e kaluar.

Irani ka thënë se është duke kryer hulumtime dhe zhvillim me qëllim të prodhimit të materialit për reaktor hulumtues, shkruan BBC.

Megjithatë, metali i uraniumit mund të përdoret edhe për ndërtimin e bërthamës së një bombe nukleare.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor, por gjatë dy vjetëve të fundit ka shkelur disa zotime të marrëveshjes bërthamore për shkak të largimit të ShBA-së nga marrëveshja dhe kthimit të sanksioneve amerikane kundër Republikës Islamike.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, thotë se Irani duhet të kthehet te respektimi i plotë i marrëveshjes para se vendi i tij t’ia largojë sanksionet. Sidoqoftë, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë hapin e parë.

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, të cilat janë pjesë e marrëveshjes bërthamore me Iranin, thanë se janë thellësisht të shqetësuara nga njoftimi për prodhimin e metalit të uraniumit nga Irani. “Irani nuk ka përdorim të besueshëm civil për metalin e uraniumit. Prodhimi i metalit të uraniumit ka ndërlikime ushtarake potencialisht të vrazhda”, thuhet në deklaratën e këtyre vendeve.

(Kosova Sot Online)