Ministrja Haradinaj-Stublla: Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës

  • G.G /
  • 12 February 2021 - 11:00
Ministrja Haradinaj-Stublla: Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, deklaroi sot se është koha e fundit që ta përballim Serbinë dhe ekipin e Millosheviqit që ende janë nëpër zyra shtetërore, me krimet e kryera kundër njerëzimit, të cilat ende i mohojnë e mbrojnë.

“Kosova ishte viktima e Serbia agresori. Dihet botërisht, e nga të gjitha pa përjashtim, çfarë krimesh gjenocidale kreu regjimi i Millosheviqit në Kosovë”.

“Kasapi i Ballkanit fiks para nëntëmbëdhjetë vjetësh, më 2 Shkurt 2002, zuri vendin që i takonte, vendin e turpit të historisë, duke qenë përballë gjyqtarëve të Gjykatës së OKB-së për Krime Lufte në Hagë për mijëra masakra e krime monstruoze të kryera në Kosovës”.

Shefja e diplomacisë kosovare tha se fatkeqësisht ai u dënua vetëm nga ndërgjegjja e njerëzimit të botës demokratike për fashizmin e tij, pasi, sipas saj, “kjo Gjykatë nuk arriti ta çojë në vend drejtësinë, pasi kasapi iu iku nga duart, pa e marrë dënimin e merituar”.

“Edhe sot e njëzetëenjë vjet pas luftës nuk ka drejtësi për mijëra viktima në Kosovë, e cila fatkeqësisht po përballet me drejtësi selektive”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.

(Kosova Sot Online)