Albin Kurti: Nuk duhet ta lejojmë rrëzimin e qeverisë

  • E.K /
  • 12 February 2021 - 15:56
Albin Kurti: Nuk duhet ta lejojmë rrëzimin e qeverisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili po synon të bëhet kryeministër vendi nga zgjedhjet e 14 shkurtit, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për ditën e diele për të siguruar shumicën parlamentare.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, ka thënë se nuk duhet lejuar të përsëritur skenari i vitit të kaluar kur u rrëzua qeveria e drejtuar nga ai.

Kurti ka folur në tubimin e mbajtur në Prishtinë, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se do t’i dërgojnë në pension politik ata që kanë qeverisur deri tani me Kosovën.

Para përkrahësve të tyre, Kurti ka thënë se të dielën duhet dalur masivisht në zgjedhje.

“Për ta bërë ndryshimin që po kërkojmë duhet ta sigurojmë shumicën parlamentare të nevojshme sepse nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet skenar i vitit të kaluar, nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet 25 marsi i vitit 2020, kur u rrëzua qeveria në kulmin e pandemisë në njërën anë, dhe në kulmin e punëve të mira në anën tjetër, këtë nuk duhet ta lejojmë dhe nuk do të lejojmë, vetëm nëse dalim masivisht në zgjedhje dhe vendosim krejt dhe vendosim drejtë për Lëvizjen dhe listën me numrin 127”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, 14 shkurti do të kujtohet nga gjeneratat e reja si ditë kur populli është bashkuar si asnjëherë më parë.

“Sepse ne jemi bashkë për të mirë, sepse ata janë bashkë për të vjedhur, sepse ne po vimë, sepse ata po shkojnë”, ka thënë ai.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në adresimin para përkrahësve, Vjosa Osmani e cila po garon në listë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se Kosova do të bëhet shtet i ëndrrave të qytetarëve.

“Nga këtu e kemi një mesazh për kapësit e shtetit, hapni rrugë sepse ndryshimi po vjen. 30 vite më parë, i madh e i vogël në Kosovën tonë të dashur, secili qytetar me të drejtë vote ka votuar me vullnet që ta bëjë Kosovën shtet të pavarur në referendumin e vitit 1991. 30 vite pas të gjithë ne bashkë do ta bëjmë Kosovën shtetin e ëndrrave tona duke i larguar e duke i dërguar në pension ata që keqpërdorën vullnetin tuaj, ata që iu gënjyen, ata që kurrë nuk u interesoj interesi juaj por vetëm xhepat e vet”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se ka qenë vullnet i qytetarëve që Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje të garojnë bashkë në një liste zgjedhore.

“Pas 14 shkurtit Kosovës sonë të dashur do t’ia japim sërish qeverinë e shpresës por kësaj radhe jo për 52 ditë por për 4 vite të plota”, ka thënë ajo.

Në tubimin e Kurtit dhe Osmanit u panë qytetarë që kishin ardhur nga diaspora në Kosovë.

“Ka javë që mërgata jonë është nisur me shpejtësi 127 kilometra në orë për të votuar e festuar në Kosovë, natyrisht e kam fjalën 127 kilometra në por në pjesë ne autostradave në Gjermani ku nuk ka kufizime e në Itali ku kufizimi është 130 kilometra në orë, por sigurisht që mërgatën i kemi në mendje e në zemër e mirë se vinë shpejtë dhe sigurt në krejt Kosovën, drejtë 14 shkurtit”, tha ai.

Kurti e Osmani kanë vazhduar vizitat në Lipjan dhe Fushë Kosovë.

(Kosova Sot Online)